Lejla Beqiri

Lejla Beqiri Vula ka përfunduar studimet bachelor në flaut interpretim në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (2012), dhe më pas studimet master në të njëjtin drejtim në Akademinë e Arteve në Novi Sad (2014), nën mentorimin e flautistes së njohur Laura Levai Aksin. Në vitin 2019, përfundoi doktoraturën në Universitetin e Ri Bullgar në Sofje, me mentore flautisten Lydia Oshavkova. Ajo gjithashtu ka përfunduar magjistraturën e dytë në shkencat muzikore në Shkup (2022).

Si flautiste, Lejla ka performuar me orkestra simfonike ndërkombëtare në SHBA, Gjermani, Zvicër, Francë, Letoni, Austri, Bullgari, Turqi dhe rajonin e Ballkanit, si dhe ka dhënë recitale në shumë shtete të rajonit dhe festivale ndërkombëtare. Është fituese e 17 çmimeve të para dhe të dyta në gara ndërkombëtare, përfshirë çmimin absolut në konkursin ArsKosova dhe çmimin e dytë në konkursin botëror “Earth and Music” në Sofje.

Për tetë vite është Koordinatore Nacionale për “European Association for Music in Schools” (EAS) dhe ka qenë pjesë e projektit kërkimor shkencor Schools@Concerts (2017–2021), i përmbyllur me botimin e një libri nga Akademia Mozarteum në Salzburg. Ka mbi 9 publikime shkencore në fushën muzikore.

Përveç karrierës koncertale, Lejla është e angazhuar në pedagogji të flautit për 16 vite, në institucione si shkollat profesionale të Shkupit e Tetovës dhe Fakulteti i Muzikës në Tetovë. Aktualisht, ligjëron në shkollën “Prenk Jakova” në Gjakovë dhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Concert 13 - Kosovar Solists Evening

🕗 05 June 2025, @ 20:00
📍Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Qendore Universitare
Prishtinë